Hamas po përballet me zemërimin e palestinezëve, teksa bombardimet e Izraelit vijojnë të shkatërrojnë Rripin e Gazës.
Një lajm i publikuar së fundmi, ku raportohet se gruaja e arkitektit të sulmeve terroriste të 7 tetorit ndaj Izraelit, është nxjerrë jashtë Gazës dhe tani po jeton një jetë të re në Turqi me një burrë të ri, ka ngjallur tepër pakënaqësi.
Samar Muhammad Abu Zamar, e veja e Yahya Sinwar, komandantit ushtarak të Hamasit i cili u vra nga forcat izraelite në tetor 2024, dyshohet se iku nga enklava e shkatërruar nga lufta duke përdorur një pasaportë të falsifikuar dhe duke mbajtur me vete ‘shuma të konsiderueshme parash’.
Burime në Gaza i thanë faqes izraelite të lajmeve “Ynet” se Abu Zamar u martua përsëri në Turqi vetëm disa muaj pas vdekjes së Sinëar, në një operacion martese dhe zhvendosjeje të mbikëqyrur nga anëtari i byrosë politike të Hamasit, Fathi Hammad, i lidhur prej kohësh me kontrabandën e luftëtarëve dhe familjeve të tyre nga Rripi.
Pretendimet vijnë ndërsa pamjet e vitit 2024 u rishfaqën, ku tregohet Abu Zamar duke ecur nëpër një tunel të Hamasit vetëm disa orë para masakrës së 7 tetorit, duke mbajtur në dorë atë që dukej të ishte një çantë dore firmato.
Zbulimet kanë shkaktuar zemërim të ri midis palestinezëve të zakonshëm, shumë prej të cilëve mbeten të bllokuar në Gaza pas 19 muajsh lufte të pamëshirshme, ndërsa familjet e figurave të larta të Hamasit thuhet se jetojnë të rehatshme jashtë vendit.
“Ata i dërgojnë fëmijët e tyre për të studiuar në Turqi dhe Katar dhe i dërgojnë tanët në varr. Çfarë i bën ata të ndryshëm nga çdo sundimtar i korruptuar në botën arabe? Ata kujdesen vetëm për veten e tyre”- tha një civil.
Hamasi, që quan veten pararojë e rezistencës palestineze, është akuzuar prej kohësh për shfrytëzimin e vuajtjeve të popullit të vet, ndërsa strehon udhëheqësit dhe familjet e tyre jashtë shtetit. Rrjeti ushtarak i grupit islamist është shkatërruar që nga sulmet e 7 tetorit, me vetëm një komandant të lartë, Izz al-Din al-Haddad, që besohet të jetë ende gjallë.
Ish-burri i Abu Zamar, Yahya Sinëar, u vra në tetor të vitit të kaluar, pasi u ndoq nga shërbimet e inteligjencës dhe Forcat e Mbrojtjes Izraelite për më shumë se një vit. Në fund të fundit, vrasja e tij me sa duket ishte rastësore, pasi grupi i ushtarëve praktikantë përgjegjës për vdekjen e shefit të Hamasit nuk e dinin identitetin e tij të vërtetë në atë kohë, sipas raportimeve. Zyrtarët izraelitë kanë thënë se 61-vjeçari, i cili prej kohësh është quajtur Kasapi i Khan Younis, u vra pasi doli nga rrjeti i tuneleve nëntokësore ku ishte fshehur.




