Një mrekulli mes tragjedisë është regjistruar në Venezuelë, ku një nënë dhe tre fëmijët e saj janë shpëtuar të gjallë pasi qëndruan për 11 ditë nën rrënojat e një ndërtese të shembur nga tërmetet shkatërrimtare.

Ngjarja ndodhi në zonën e La Guaira, një prej rajoneve më të goditura nga dy tërmetet e fuqishme të 24 qershorit. Familja ishte bllokuar nën rrënojat e ndërtesës OPP që nga dita e fatkeqësisë.

Sipas autoriteteve, nëna arriti t’i mbante gjallë tre fëmijët e saj duke i ushqyer me gji gjatë gjithë kohës që qëndruan të izoluar, deri në momentin kur ekipet e kërkim-shpëtimit i lokalizuan dhe i nxorën të sigurt nga rrënojat.

Ndërkohë, bilanci i viktimave nga tërmetet vijon të rritet. Autoritetet venezueliane bëjnë të ditur se deri tani janë konfirmuar 3,685 të vdekur dhe 16,740 të plagosur, ndërsa dhjetëra mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur.

Katastrofa ka shkatërruar ose dëmtuar rreth 60 mijë ndërtesa, duke lënë mijëra familje pa banesa. Ekspertët paralajmërojnë se përveç pasojave të tërmeteve, zonat e prekura përballen edhe me rrezikun e shpërthimit të epidemive për shkak të mungesës së ujit të pijshëm dhe kushteve të vështira higjieno-sanitare.