Të paktën 15 persona humbën jetën në një aksident tragjik në autostradën Mérida–Campeche në Gadishullin Jukatan, Meksikë.
Sipas autoriteteve, një rimorkio me pasagjerë u përplas me dy automjete të tjera, duke shkaktuar një zjarr të madh që përfshiu mjetet në pak minuta.

Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë skena tronditëse me trupat e viktimave të shtrirë në asfalt, ndërsa flakët shiheshin nga larg.

Guvernatori i Jukatanit, Joaquin Díaz Mena, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe tha se ekipet e emergjencës dhe ato shëndetësore janë në gatishmëri të plotë për t’u ofruar ndihmë të mbijetuarve dhe të afërmve.

“Me hidhërim të thellë morëm lajmin për aksidentin e trishtueshëm… Shprehim solidaritetin dhe mbështetjen tonë për familjet e prekura gjatë këtij momenti të dhimbshëm,” shkroi ai në platformën “X”.

Hetimet për shkaqet e ngjarjes tragjike kanë nisur, ndërsa autoritetet lokale paralajmërojnë për bllokim të pjesshëm të rrugës deri në përfundim të punimeve të pastrimit.