Një valë e re sulmesh me dronë ukrainas ka goditur rajonin e Moskës, duke shkaktuar zjarre të mëdha dhe re të dendura tymi që mbuluan qiellin. Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, tymi ishte aq i dendur sa në disa zona dielli pothuajse nuk dukej.

Videot e shpërndara në internet tregojnë flakë të fuqishme dhe kolona të zeza tymi që ngrihen mbi objektet e goditura, ndërsa përdorues të shumtë komentuan se qielli ishte errësuar plotësisht pas shpërthimeve.

Sipas raportimeve, një nga objektivat kryesorë të sulmit ishte qendra e dytë më e madhe logjistike e Wildberries, kompanisë më të madhe të tregtisë elektronike në Rusi. Kompleksi, i vendosur në rajonin e Moskës, u përfshi nga flakët pas goditjes me dronë.

Bilanci paraprak flet për shtatë persona të vrarë dhe 24 të plagosur. Zjarri përfshiu një pjesë të konsiderueshme të objektit, ndërsa ekipet e emergjencës ndërhynë për të vënë situatën nën kontroll.

Përveç qendrës logjistike, raportimet flasin edhe për sulme ndaj objekteve të lidhura me industrinë e naftës. Pamjet e publikuara nga mediat ruse tregojnë shtëllunga të mëdha tymi mbi zonat e goditura, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende një bilanc të plotë të dëmeve.

Pak orë pas sulmeve reagoi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili deklaroi se forcat ukrainase kishin goditur me sukses objektiva strategjike në thellësi të territorit rus.

Në një postim në rrjetin social X, ai tha se operacionet me rreze të gjatë veprimi kishin arritur objektivat në tre zona të ndryshme. Sipas tij, dy qendra të rëndësishme logjistike në rajonet e Moskës dhe Tambovit u shkatërruan, ndonëse ndodheshin qindra kilometra larg vijës së frontit.

Zelensky pretendoi se këto objekte përdoreshin për furnizimin e industrisë ushtarake ruse me komponentë që i nënshtrohen sanksioneve ndërkombëtare dhe që shërbenin për prodhimin e dronëve, si edhe të sistemeve të navigimit.

Ai bëri të ditur gjithashtu se gjatë operacionit u godit edhe një objekt i industrisë së naftës, ndërsa sulme të tjera u kryen ndaj objektivave ushtarake në Detin e Azovit, Detin e Zi dhe në Krimenë e pushtuar.

Në fund të deklaratës së tij, presidenti ukrainas përgëzoi Forcat e Sistemeve Pa Pilot, Forcat Speciale, ushtrinë, Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU) dhe inteligjencën ushtarake për, sipas tij, realizimin me sukses të një operacioni të koordinuar.

Sulmet konsiderohen pjesë e strategjisë së Kievit për të goditur infrastrukturën logjistike, energjetike dhe ushtarake të Rusisë larg vijës së frontit, me synimin për të dobësuar kapacitetet e furnizimit dhe mbështetjes së forcave ruse në luftë.