Një turist në Maldive përjetoi momente terrori kur një peshkaqen tigër e sulmoi gjatë një zhytjeje pranë ishullit Hulhumale, afër kryeqytetit Male. Pamjet tronditëse tregojnë grabitqarin që del papritur nga uji dhe kap kokën e turistit, duke e tundur dhunshëm në përpjekje për ta gëlltitur.

Incidenti ndodhi më 15 nëntor dhe është raportuar nga burime si Killshot Life dhe Divernet. Fatmirësisht, turisti arriti të shpëtojë për mrekulli, duke mbetur me lëndime serioze, por pa humbur jetën apo dëmtime fatale në kokë.

Pas sulmit, zhytësi u dërgua menjëherë në spital, ku iu deshën qepje të shumta për plagët e shkaktuara nga kafshimi. Raportet tregojnë se ky peshkaqen nuk ishte hasur më parë në zonën e frekuentuar nga grupi i zhytësve, duke ngritur pyetje mbi sigurinë e aktiviteteve të tilla në atë rajon.

Ngjarja ka tronditur turistët dhe vendasit, duke theksuar rreziqet që mund të vijnë nga eksplorimi i faunës detare.