Pamje të reja nga kamerat e sigurisë kanë zbuluar momentet dramatike të incidentit fatal në Aeroportin Ndërkombëtar të Denverit, ku një person humbi jetën pasi u përplas nga një avion i kompanisë Frontier Airlines gjatë përgatitjeve për ngritje.

Sipas autoriteteve amerikane, viktima kishte hyrë ilegalisht në zonën e pistës pasi kishte kapërcyer gardhin rrethues të aeroportit. Në videon e publikuar, personi shihet duke ecur qetësisht në asfalt, vetëm pak çaste para se të afrohej avioni Airbus A321neo.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:19 të së shtunës, ndërsa avioni po përgatitej të ngrihej nga Denver International Airport. Sipas raportimeve, viktima u pozicionua në trajektoren e njërit prej motorëve dhe u thith nga fuqia e tij gjatë lëvizjes së avionit në pistë.

Autoritetet thanë se avioni po lëvizte me rreth 213 kilometra në orë në momentin e përplasjes. Pas incidentit, pasagjerët në bord përjetuan momente paniku, ndërsa një shpërthim i fortë u dëgjua në kabinë dhe motori mori flakë pak sekonda më vonë.

Një prej pasagjerëve, John Anthens, tregoi se fillimisht askush nuk kuptoi çfarë kishte ndodhur, por shpërthimi shkaktoi frikë dhe kaos mes udhëtarëve, me fëmijë që nisën të qanin dhe njerëz që bërtisnin.

Të gjithë 224 pasagjerët dhe shtatë anëtarët e ekuipazhit u evakuuan në mënyrë të sigurt nga avioni, ndërsa ekipet emergjente mbërritën menjëherë në vendngjarje.

Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, reagoi pas ngjarjes duke theksuar se askush nuk duhet të hyjë pa autorizim në zonat e sigurisë së aeroporteve.

Ndërkohë, National Transportation Safety Board dhe Federal Aviation Administration kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit tragjik.