Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në zonën e Nea Peramos, ku trupi i pajetë i një 27-vjeçari, i identifikuar si biznesmen, u gjet të dielën pasdite pranë një përrua afër Manastirit të Trinisë së Shenjtë. Viktima, i cili ishte raportuar i zhdukur një javë më parë, ishte rrëmbyer nga shtëpia e tij në Elefsina, në orët e para të së hënës së kaluar.
Sipas hetimeve paraprake, autorët e rrëmbyesit e kanë çuar 27-vjeçarin në një vend të izoluar, ku e kanë ekzekutuar me të paktën shtatë plumba. Pas vrasjes, ata dyshohet se kanë tentuar të vënë flakën trupit për të fshirë gjurmët e krimit, por nuk kanë mundur ta realizonin këtë.
Hetuesit janë ende në kërkim të detajeve mbi kohëzgjatjen e qëndrimit të viktimës në duar të rrëmbyesve, pasi ka pasur një periudhë të panjohur midis rrëmbimit dhe vrasjes. Pamjet filmike të publikuara nga protothema.gr tregojnë momentet para rrëmbimit. Në video, biznesmeni shihet duke u kthyer në shtëpi në këmbë, në orën 02:01 të mëngjesit të 26 janarit, i veshur me një kostum gri dhe një bluzë me kapuç blu. Kur ai hyn në rrugicën pranë pallatit ku banonte me partneren e tij, një makinë blu afrohet nga drejtimi i kundërt. Brenda saj ndodheshin katër persona, të cilët nën kërcënimin e armës e detyruan të hipte dhe të largohej me ta.
Pamjet nga kamerat e sigurisë u dorëzuan nga partnerja e viktimës, e cila denoncoi rrëmbimin. Pas analizës së videove dhe targave të automjetit, autoritetet konstatuan se makina ishte e vjedhur në Selanik. Hetuesit tani janë përqendruar në zbardhjen e motivit të krimit. Megjithatë, skenari i një rrëmbimi për shpërblim është përjashtuar, pasi nuk ka pasur kërkesa për para nga familjarët e viktimës, pavarësisht pasurisë së tij.
Policia dyshon se vrasja mund të lidhet me një mosmarrëveshje financiare mes viktimës dhe autorëve. Gjithashtu, autoritetet po shqyrtojnë ngjashmëritë me një tjetër ngjarje të ngjashme që ndodhi në vitin 2024, kur një biznesmen tjetër u vra dhe trupi i tij, së bashku me automjetin e përdorur për rrëmbimin, u dogj nga autorët në zonën pyjore të Mandrës. Hetimet për zbardhjen e këtij krimi vazhdojnë, ndërkohë që motivet e vrasjes mbeten ende të paqarta.
