Një atentat i regjistruar nga kamerat e sigurisë brenda një palestre në São Paulo i ka marrë jetën influencerit brazilian Evandro Luiz Prudente, 33 vjeç, i njohur në rrjetet sociale me nofkën “Sheiku i Basteve”.

Prudente, me origjinë nga Porto Alegre dhe i njohur për përmbajtjet e tij të lidhura me bastet sportive, ndodhej i ulur në ambientet e pritjes së palestrës kur u sulmua. Pamjet tregojnë një person të veshur me të zeza dhe me doreza, i cili hyn në ambient dhe hap zjarr nga një distancë e afërt ndaj 33-vjeçarit.

Sulmuesi largohet menjëherë pas të shtënave, ndërsa në vendngjarje mbërritën forcat e policisë. Sipas raportimeve të mediave braziliane, hetuesit sekuestruan 16 gëzhoja, të cilat po analizohen në kuadër të hetimit për vrasjen.

Përveç aktivitetit në rrjetet sociale dhe përfshirjes në sektorin e basteve sportive, Prudente merrej edhe me tregtimin online të automjeteve. Një nga pistat që autoritetet po verifikojnë lidhet me dyshimet se ai mund të ketë qenë i përfshirë edhe në huadhënie me interesa.

Hetimet çuan në ndalimin e tre personave të dyshuar në shtetin e Rio de Janeiros. Gjatë arrestimit të tyre, megjithatë, policia nuk raportoi gjetjen e armëve që mund të lidhen me krimin.

Një element tjetër që po analizohet është motoçikleta që dyshohet se është përdorur për largimin nga vendngjarja. Mjeti u gjet i braktisur në afërsi të palestrës, ndërsa hetuesit po përpiqen të rindërtojnë itinerarin e autorëve dhe mënyrën se si është organizuar atentati.

Autoritetet po verifikojnë gjithashtu nëse lëvizjet e Prudentes ishin ndjekur përpara sulmit dhe nëse ekzekutimi mund të ketë lidhje me kërcënime të mëparshme ndaj tij.

Sipas informacioneve që po shqyrtohen nga hetuesit, 33-vjeçari ishte larguar nga Rio Grande do Sul dhe ishte vendosur në São Paulo pasi më herët kishte marrë kërcënime. Mediat lokale raportojnë gjithashtu se ai kishte precedentë penalë të lidhur me vrasje dhe trafik droge.

Megjithatë, bashkëshortja e Prudentes ka deklaruar se, sipas dijenisë së saj, influenceri nuk kishte marrë kërcënime të reja kohët e fundit. Motivi i atentatit mbetet ende nën hetim.

View this post on Instagram

A post shared by VEJA (@vejamais)