Video të reja, të pabotuara më parë, kanë zbuluar momentet e para pas arrestimit të ish-bosit famëkeq të kartelit Sinaloa, Joaquin “El Chapo” Guzmán, në vitin 2016.
Katër videot, të publikuara nga gazeta meksikane El Universal, tregojnë Guzmán pak pasi ai dhe truproja e tij, Orso Iván “El Cholo Iván” Gastélum, u kapën pasi dolën nga një puset kanalizimesh më 8 janar 2016.
Në një prej pamjeve, El Chapo shihet duke larë fytyrën e mbuluar me baltë. Ai kërkon sapun dhe pyet një polic nëse mund t’i dëmtojë sytë, ndërsa më pas merr leje të heqë bluzën e ndotur.
Për shkak të frikës se anëtarët e kartelit Sinaloa mund të tentonin ta lokalizonin dhe ta lironin, autoritetet i dërguan dy të arrestuarit fillimisht në një hotel, ndërsa prisnin mbërritjen e përforcimeve.
Në një tjetër video, Guzmán shfaqet i prangosur në pjesën e pasme të një automjeti. Kur pyetet nëse ishte keqtrajtuar, ai përgjigjet negativisht.
Më pas, gjatë marrjes në pyetje nga autoritetet ushtarake në Mexico City, El Chapo pranon se ishte marrë me kultivimin e kanabisit dhe trafikun e drogës që në moshë të re.
“Nuk dua luftë me qeverinë”
Një nga momentet më të veçanta në videot e publikuara është deklarata e Guzmán për mundësinë e një operacioni shpëtimi.
I pyetur për anëtarët e kartelit të tij, ai shprehet se i kishte paralajmëruar të mos përballeshin me policinë apo qeverinë në rast arrestimi.
“Ky ka një fund. Nëse një ditë dështoj, nuk dua që ata të luftojnë me asnjë polic”, dëgjohet të thotë El Chapo, duke shtuar se nuk besonte se do të kishte një përpjekje për ta liruar.
Deklaratat e tij do të binin në kontrast me atë që ndodhi disa vite më vonë, kur anëtarë të kartelit Sinaloa u përfshinë në një përplasje të armatosur me autoritetet meksikane në Culiacán, në përpjekje për të siguruar lirimin e djalit të tij, Ovidio Guzmán López.
Videoja e katërt tregon El Chapon dhe Gastélumin në një avion, me kokat e mbuluara, gjatë transferimit të tyre.
Joaquín “El Chapo” Guzmán u ekstradua në Shtetet e Bashkuara në janar 2017. Dy vite më vonë, një gjykatë federale në Brooklyn e dënoi me burgim të përjetshëm. Ai po vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë ADX Florence, në Kolorado.
