Të paktën pesë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në përleshjet e dhunshme që shpërthyen të dielën në rajonin himalajan të Ladakh-ut, Indi, gjatë një proteste masive ku qindra qytetarë kërkonin më shumë autonomi për rajonin. Lajmi u konfirmua nga policia lokale në qytetin Leh, qendra administrative e zonës.

“Patëm pesë vdekje pas protestës”, tha një oficer policie në Leh, i cili foli në kushte anonimiteti, duke theksuar se autoritetet po përballen me një situatë të tensionuar.

Sipas qeverisë indiane, policia hapi zjarr në “vetëmbrojtje”, duke pretenduar se situata ishte vendosur nën kontroll rreth orës 16:00. Megjithatë, pamjet dhe raportimet nga vendngjarja tregojnë për një përshkallëzim të madh të dhunës.

Protestuesit i vunë flakën një automjeti policie dhe zyrave lokale të Partisë Bharatiya Janata (BJP), e udhëhequr nga kryeministri nacionalist Narendra Modi. Policia reagoi me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për të shpërndarë turmat.

“Shumë njerëz, përfshirë policë, u plagosën”, tha oficeri Regzin Sanghdup për mediat.

Pas trazirave, autoritetet vendosën kufizime të rrepta në lëvizje dhe ndaluan çdo tubim publik me më shumë se katër persona në përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Protesy

Rajoni i Ladakh-ut, i cili ndodhet në një zonë strategjike midis Kinës dhe Pakistanit, ka një përbërje unike etnike dhe fetare. Pothuajse gjysma e 300,000 banorëve janë myslimanë, ndërsa rreth 40% janë budistë — duke e bërë hindutë një pakicë, ndryshe nga pjesa më e madhe e Indisë.

Protesta u organizua nga aktivistë që mbështesin Sonam Wangchuk, një ambientalist dhe lider lokal i njohur, i cili ndodhet në grevë urie prej dy javësh. Wangchuk dhe përkrahësit e tij kërkojnë që Ladakh të fitojë statusin e një shteti brenda Indisë ose të sigurojë garanci kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të popujve indigjenë dhe fiseve vendase.

Tensionet në Ladakh janë rritur ndjeshëm që nga viti 2019, kur qeveria indiane hoqi autonominë e rajonit të Jammu dhe Kashmir dhe e ndau atë në dy territore federale një prej të cilëve është Ladakh. Që atëherë, banorët e zonës kanë kërkuar më shumë kontroll mbi të ardhmen e tyre politike dhe kulturore.

Situata mbetet e paqëndrueshme, ndërsa komuniteti ndërkombëtar dhe grupet për të drejtat e njeriut po ndjekin nga afër zhvillimet.