Të paktën nëntë persona, përfshirë një fëmijë, kanë humbur jetën në qytetin Odesa në jug të Ukrainës, pas reshjeve ekstreme të shiut që kanë shkaktuar përmbytje masive dhe kaos total në qytet. Lajmi është konfirmuar nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave.
“I gjithë qyteti është nën ujë”, thonë banorët në pamjet që po qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale, ku duken rrugë të mbuluara nga uji, makina të mbytura dhe njerëz të bllokuar në shtëpitë e tyre.
Sipas autoriteteve, pothuajse 24,000 persona kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa lagje të tëra në periferi janë të izoluara. Rrugët janë të pakalueshme dhe ekipet e emergjencës po punojnë pa ndërprerje për të shpëtuar banorët dhe për të rikthyer shërbimet bazë.
Meteorologët paralajmërojnë se reshjet mund të kalojnë 80 mm, duke thyer rekorde historike për rajonin. Sipas sinoptikanëve, rreziku i përmbytjeve të tjera mbetet i lartë në orët dhe ditët në vijim.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet, ndërkohë që përpjekjet për ndihmë dhe normalizim të situatës janë ende në vazhdim.
More video of the flooding in Odessa, Ukraine. It's been really bad! pic.twitter.com/l0xAe0YLW4
— Volcaholic 🌋 (@volcaholic1) September 30, 2025