Pamjet e reja satelitore kanë zbuluar përmasat e jashtëzakonshme të shembjes së një akullnaje në Himalaje, e cila dyshohet se mund të ketë shkaktuar përmbytjet katastrofike në Nepal.
Sensorët sizmikë në Katmandu kanë regjistruar një dridhje që zgjati për disa minuta. Të dhënat e mbledhura nga satelitët sugjerojnë se lëkundjet mund të jenë shkaktuar nga shembja e një akullnaje rreth 49 kilometra larg kryeqytetit, pranë kufirit me Kinën.
Pamjet tregojnë zona të mëdha të malit të zhveshura nga bora dhe akulli. Sipas analizave paraprake, rreth 60 hektarë sipërfaqe në pjesën e poshtme të malit duket se janë zhdukur pas shembjes.
Një masë gjigante shkëmbinjsh, akulli dhe bore është rrëzuar nga mali për rreth 2,400 metra, duke vazhduar më pas lëvizjen me shpejtësi përgjatë luginës.
Ekspertët dyshojnë se shembja mund të ketë shkaktuar një reaksion zinxhir, duke krijuar një valë të fuqishme uji, balte dhe mbeturinash që më pas ka përfshirë zonat e banuara.
Ndërkohë, ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet në zonat e prekura. Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë përmasat e plota të katastrofës, dëmet e shkaktuara dhe numrin e viktimave.
