Një ngjarje e rëndë, që shqiptarëve u kthen kujtimet e dhimbshme të viteve 1990, ka ndodhur në ujërat e Italisë, aty ku dhjetëra emigrantë janë mbytur në përpjekje e sipër për të zbarkuar në Itali, ku do të synonin të krijonin një jetë të re.
Plot 60 emigrantë janë nxjerrë të pajetë nga deti, pas mbytjes së një anijeje në brigjet e Crotones në jug të Italisë. Mediat italianë raportojnë se 12 prej të vdekurve janë fëmijë, 21 janë gra dhe 27 të tjerët janë burra.
Mes viktimave raportohet të jenë edhe dy binjakë të vegjël dhe një 1-vjeçar i gjetur pa shenja në plazh. Ndërkohë, 81 persona janë arritur të shpëtohen. 22 prej tyre janë në spital, teksa një prej të shpëtuarve është në gjendje të rëndë.
Pjesa tjetër janë të vendosur në qendrat e posaçme për azilkërkuesit. Nuk ka ende një specifikim se nga vinin emigrantët, por dyshimet më të mëdha janë për Lindjen e Mesme dhe Afrikën.