Autoritetet greke kanë shkatërruar një organizatë kriminale që dyshohet se ishte përfshirë në zhvatje, kërcënime dhe sulme me granata ndaj bizneseve në kryeqytetin grek, Athinë.

Sipas hetimeve, në krye të grupit qëndronte një 49-vjeçar shqiptar, i dënuar më parë për vepra të rënda penale. Edhe pse vuante dënimin në burgun e Trikalës, ai dyshohet se vazhdonte të koordinonte aktivitetin e organizatës nga qelia.

Pamjet e publikuara nga mediat greke tregojnë disa prej episodeve të dhunshme, ku persona të maskuar sulmojnë biznese dhe përdorin granata për të terrorizuar pronarët dhe klientët. Në një prej videove shihen dy persona që, pasi dalin nga një dyqan, hedhin një granatë drejt ambienteve ku ndodheshin klientë dhe largohen menjëherë. Fatmirësisht, mjeti shpërthyes nuk detonoi.

Hetuesit dyshojnë se shqiptari kishte rolin kryesor në organizatë, duke përzgjedhur objektivat, shqyrtuar informacionet e siguruara nga bashkëpunëtorët dhe dhënë porositë për realizimin e sulmeve. Ai dyshohet gjithashtu se mbikëqyrte zbatimin e tyre, pavarësisht se ndodhej në burg.

Pjesë e rrjetit dyshohet se ishin edhe tre të burgosur të tjerë: një shtetas rom në burgun e Malandrinos dhe dy shtetas egjiptianë, të cilët vuanin dënimin në burgjet e Avlonës dhe Malandrinos. Sipas autoriteteve, ata shërbenin si lidhje komunikimi mes drejtuesit dhe anëtarëve që vepronin jashtë ambienteve të burgut.

Organizata kishte një ndarje të mirëpërcaktuar të roleve. Personat që vepronin në terren identifikonin bizneset dhe individët që do të shënjestroheshin, mblidhnin informacione për ta, siguronin mjetet e nevojshme për sulmet dhe organizonin largimin nga vendngjarjet.

Policia ka kryer kontrolle në katër biznese në qendër të Athinës, ku janë verifikuar 50 persona. Nga këta, 27 kanë përfunduar në pranga.

Hetimet synojnë të zbardhin të gjithë aktivitetin e organizatës dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.