Momente paniku janë regjistruar në një avion të kompanisë ajrore easyJet, i cili po fluturonte nga Islanda drejt Milanos, pasi një pasagjer i dehur u kap me një thikë kuzhine në bord.
Incidenti ndodhi gjatë fluturimit nga aeroporti ndërkombëtar Keflavík drejt aeroportit Malpensa të Milanos. Sipas mediave italiane, pasagjeri nisi të bërtiste dhe të sillej në mënyrë agresive, duke shkaktuar frikë dhe shqetësim mes udhëtarëve dhe anëtarëve të ekuipazhit. Situata u bë edhe më alarmante kur u konstatua se ai mbante në duar një thikë kuzhine.
Deri më tani, nuk raportohet se pasagjeri ka tentuar të përdorë armën e ftohtë për të sulmuar apo kërcënuar dikë në bord.
Pak minuta para uljes, pilotët njoftuan kontrollin e trafikut ajror për situatën dhe kërkuan ndërhyrjen e policisë në momentin e mbërritjes. Pavarësisht incidentit, ekuipazhi arriti të mbante situatën nën kontroll dhe avioni u ul normalisht në aeroportin e Milanos, ku forcat e policisë ishin në pritje.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk pati persona të lënduar dhe as ndërprerje të aktivitetit aeroportual.
Në një reagim zyrtar, easyJet dënoi sjelljen e pasagjerit, duke theksuar se nuk toleron incidente të tilla dhe se siguria e udhëtarëve dhe e stafit është prioriteti kryesor i kompanisë.
Ndërkohë, autoritetet pritet të sqarojnë se si pasagjeri arriti të kalonte kontrollet e sigurisë dhe të hipte në avion duke pasur me vete një thikë kuzhine.
