Ndërhyrja e menjëhershme e një kamerieri shmangu një tragjedi brenda një restoranti italian në Ohio të Shteteve të Bashkuara, ku një burrë i armatosur tentoi të qëllonte ish-bashkëshorten e tij.
Incidenti ndodhi në prill të vitit 2025 në restorantin «Sabira», por pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë janë bërë publike vetëm së fundmi.
Autori i sulmit ishte Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat i çështjeve penale. Ai ndodhej në një lokal pranë restorantit kur vuri re ish-bashkëshorten duke darkuar me familjarët e saj.
Sipas versionit të paraqitur nga prokuroria, Exton fillimisht i dërgoi gruas një pije. Më pas, kur ajo po largohej nga ambienti, ai e pështyu.
Waiter at an Ohio restaurant tackles a man after he tried to shoot his ex-wife in newly released footage.
— Collin Rugg (@CollinRugg) September 9, 2026
43-year-old Matthew Exton, of Toledo, Ohio, has been found guilty of attempted murder.
Exton had been drinking when he saw his ex-wife and her family celebrating at a… pic.twitter.com/ze6wLpn2LG
Situata u përshkallëzua pak më vonë, kur 43-vjeçari u rikthye në restorant i armatosur. Pistoleta që mbante kishte një fishek në folenë e qitjes dhe shtatë të tjerë në karikator.
Pamjet tregojnë momentin kur Exton ia drejton armën ish-bashkëshortes dhe përpiqet të qëllojë. Pistoleta nuk u shkrep, pasi siguresa vazhdonte të ishte e aktivizuar.
Ndërsa ai po tentonte ta përdorte sërish armën, kamerieri Tracy Cole Jr. reagoi pa humbur kohë. Ai iu hodh sipër agresorit, e rrëzoi në dysheme dhe arriti ta neutralizonte përpara se ky i fundit të qëllonte.
Prokurorja e qarkut Lucas, Julia Bates, deklaroi gjatë procesit gjyqësor se punonjësit e restorantit ishin përballur me një situatë për të cilën nuk mund të ishin përgatitur paraprakisht.
Gjykata e shpalli Exton fajtor për tentativë vrasjeje dhe për dy raste sulmi të rënduar.
Në dëshminë e tij, 43-vjeçari mohoi se kishte synuar të tërhiqte këmbëzën. Ai pretendoi se ia kishte drejtuar armën ish-gruas për ta detyruar që të përshpejtonte shitjen e shtëpisë që kishin në pronësi.
Pas ngjarjes, Exton humbi edhe të drejtën për të ushtruar profesionin. Në kohën kur ndodhi incidenti, ai punonte si avokat në shtetin e Michiganit.
