Pesë persona mbetën të plagosur pas një sulmi me thikë në stacionin e njohur hekurudhor Penn Station në Nju Jork, duke shkaktuar panik mes qindra udhëtarëve që ndodheshin në terminal mbrëmjen e së dielës.
Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi pak pas orës 19:00, kur një burrë, i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe jeton në rrugë, nisi të sulmonte në mënyrë të rastësishme persona që prisnin trenat e tyre.
Pesë të plagosurit u transportuan në spital, ku njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë, dy kanë pësuar plagë të moderuara dhe dy të tjerë lëndime më të lehta. Burimet bëjnë me dije se edhe vetë i dyshuari është plagosur gjatë incidentit.
Dëshmitarët përshkruan skena kaotike, me udhëtarë që vraponin të tmerruar për t’i shpëtuar sulmit. Një prej tyre tha se pa autorin të godiste një person me thikë pranë zonës së nisjes së trenave, ndërsa menjëherë pas kësaj shpërtheu paniku në të gjithë stacionin.
Policia e Amtrak ndërhyri me shpejtësi dhe arriti të neutralizojë autorin, i cili tashmë ndodhet në paraburgim. Fotot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur oficerët e rendit e mbajnë të shtrirë në dyshemenë e stacionit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime edhe nga autoritetet më të larta të shtetit. Guvernatorja e New York, Kathy Hochul, e cilësoi sulmin si një akt të tmerrshëm dhune dhe falënderoi forcat e rendit për reagimin e shpejtë që shmangu pasoja edhe më të rënda.
Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit vijojnë.
