Autoriteti i aviacionit civil grek njoftoi se defekti që shkaktoi ndërprerjen e fluturimeve nga dhe drejt Greqisë është identifikuar dhe po riparohet nga teknikët, duke rikthyer gradualisht normalitetin në trafikun ajror brenda 3-4 orësh.
Sipas njoftimit, problemi që krijoi kaosin në fluturime kishte origjinën në një sistem transponder që kontrollon distancat dhe lartësitë e avionëve. Për të garantuar sigurinë, autoritetet vendosën pezullimin e fluturimeve mbi territorin grek, duke detyruar qindra avionë të devijojnë drejt Turqisë dhe detit Egje. Për gati dy orë, asnjë fluturim tregtar nuk u nis nga aeroportet greke.
Në mungesë të sistemit kryesor, u përdor sistemi alternativ i emergjencës, por kapaciteti i tij ishte i pamjaftueshëm për fluksin e madh të udhëtarëve gjatë festave të Vitit të Ri, prandaj u mor vendimi për devijimin e trafikut si masë më e sigurt.
Sipas burimeve zyrtare, ky incident lidhet edhe me probleme të vjetra të sistemit të F.I.R Hellas, të instaluar në vitin 2004, pa investime në teknologji të reja navigimi. Dy muaj më parë, kontrollorët ajrorë grekë zhvilluan një grevë ku kërkesa kryesore ishte përmirësimi i pajisjeve të navigimit dhe zëvendësimi i sistemit të vjetër.
Autoritetet greke paralajmërojnë se fluturimet do të rifillojnë gradualisht sapo të përfundojnë riparimet, duke rikthyer stabilitetin në një prej pikave kryesore të trafikut ajror në Evropë.
