Papa Leoni XIV ka paralajmëruar për rreziqet që mund të sjellë përdorimi gjithnjë e më i madh i inteligjencës artificiale, duke theksuar ndikimin që teknologjia mund të ketë në marrëdhëniet mes njerëzve dhe në mënyrën se si merren vendimet.
Gjatë një deklarate të fundit, Ati i Shenjtë tha se zhvillimi teknologjik, përhapja e mediave masive, rrjeteve sociale dhe inteligjencës artificiale kanë krijuar mundësi të reja dhe kanë shkurtuar distancat mes njerëzve. Megjithatë, sipas tij, ekziston edhe rreziku që marrëdhëniet njerëzore të bëhen gjithnjë e më pak personale dhe më shumë virtuale.
“Ekziston rreziku i mësimit për t’ua deleguar algoritmeve vendimet që u përkasin ekskluzivisht njerëzve”, u shpreh Papa Leoni XIV.
Ai ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur që inteligjenca artificiale të mos zëvendësojë gjykimin, ndërgjegjen dhe përgjegjësinë njerëzore, veçanërisht kur bëhet fjalë për vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve.
Edhe në enciklikën e tij të parë, të publikuar në maj, Papa Leoni XIV paralajmëroi kundër delegimit të plotë të vendimeve të ndjeshme te sistemet e automatizuara.
Debati mbi zhvillimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale është intensifikuar kohët e fundit, me drejtues të kompanive të mëdha teknologjike që kanë ngritur shqetësime mbi nevojën për rregulla dhe masa ligjore për të menaxhuar rreziqet e mundshme të teknologjisë.
