Vetëm pak muaj në krye të Vatikanit, por Papa Leoni XIV thotë se ka mësuar shumë. Në një intervistë të veçantë që u publikua në ditën e 70-vjetorit të tij të dielën, Ati i Shenjtë u ndal te disa nga çështjet më të rëndësishme në botë.

Papa dha një intervistë të gjatë për gazetaren e Crux, Elise Ann Allen, që do të përdoret edhe për një biografi të jetës së tij. Ashtu si në fjalimin e tij të parë në krye të detyrës, Leoni XIV theksoi rëndësinë e ndërtimit të urave në botë dhe pati kritika për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për të cilën tha se nuk po e përmbush misionin për t’i bashkuar njerëzit.

“Para së gjithash, mënyra e ndërtimit të urave është kryesisht përmes dialogut. Një nga gjërat që kam mundur të bëj në këto dy muajt e parë është të kem të paktën një lloj dialogu, vizita me udhëheqës botërorë nga organizata shumëkombëshe. Në teori, Kombet e Bashkuara duhet të jenë vendi ku trajtohen shumë nga këto çështje. Fatkeqësisht, duket se pranohet përgjithësisht se Kombet e Bashkuara, të paktën në këtë moment, kanë humbur aftësinë e tyre për të bashkuar njerëzit në çështjet shumëpalëshe”, tha Papa Leoni XIV.

Ai u ndal gjithashtu te lufta në Ukrainë dhe përsëriti se e ka ofruar Vatikanin si vend për negociata, duke i kuptuar implikimet që sjell kjo përfshirje.

“Vrasja e padobishme pas këtyre viteve të njerëzve nga të dyja anët në atë konflikt, por edhe në konflikte të tjera mendoj se duhet t’i zgjojë njerëzit për të thënë se ka një mënyrë tjetër për t’i bërë gjërat. Të mendosh për Vatikanin si ndërmjetës, madje edhe disa herë që kemi ofruar të organizojmë takime negociatash midis Ukrainës dhe Rusisë, qoftë në Vatikan ose në ndonjë pronë tjetër të kishës, jam shumë i vetëdijshëm se cilat janë implikimet e kësaj”, shtoi më tej Papa.

Ndër të tjera Ati i Shenjtë pranoi se është ndjerë i sfiduar për detyrën që mori, por jo i mbingarkuar, teksa rrëfeu se ka mësuar shumë këto muaj. Papa i parë amerikan dhe që ka shërbyer në Peru për shumë vite duke marrë edhe shtetësinë e këtij vendi, tregoi madje se në përballjen e të dyjave në Kupën e Botës do të mbështesë vendin e Amerikës Latine dhe zbuloi se është gjithashtu tifoz i madh i Italisë.