Papa Leone i XIV ka mbajtur fjalimin e parë para besimtarëve të mbledhur në sheshin e “Shën Pjetrit” në Vatikan.

Paqja qoftë me ju! Vëllezër dhe motra të dashura, kjo është përshëndetja e parë e Krishtit të ringjallur. Do të doja të ofroja një përshëndetje paqeje për të arritur familjet tuaja, të gjithë ju, kudo që të jeni. Paqja qoftë me ju”– tha Papa në fjalët e para të fjalimit.

“Zoti na do të gjithëve, pa kushte”, tha ai më tej, ndërsa i bëri homazhe dhe paraardhësit të tij, Papa Françeskut, ndërsa thotë se dëshiron t’u japë bekimin e tij njerëzve, ashtu siç bëri Papa Françesku në paraqitjen e tij të fundit në Sheshin e Shën Pjetrit.

“Njerëzimi ka nevojë për Krishtin si një urë që Zoti dhe dashuria e tij ta arrijnë. Na ndihmoni dhe ndihmoni njëri-tjetrin, ndërtoni ura”, u shpreh Papa Leon.

Robert Francis Prevost është zgjedhur Papa i ri dhe ka marrë emrin Leoni XIV. Ai është Papa i 267-të në historinë e Kishës, i pari amerikan me origjinë italiane, franceze dhe spanjolle, i lindur në Çikago. Robert Francis Prevost u zgjodh kardinal nga Papa Françesku, dhe pritet që ai të mbajë “frymën” e këtij të fundit.

133 kardinalët e kanë zgjedhur atë si pasardhësin e Papa Françeskut në votimin e katërt. Tymnaja e parë e ditës, rreth orës 11:50, ishte sërish e zezë. Ndërsa në orën 18:08 u ngrit tymnaja e bardhë.

Entuziazëm i madh në Sheshin e Shën Pjetrit, ku njëqind mijë besimtarë të emocionuar shoqëruan momentin me duartrokitje dhe kambana festive. Shpallja “Habemus Papam” u bë në orën 19:13 nga Lozha e Bazilikës së Shën Pjetrit.