Në një skenografi të menduar deri në detaje, presidenti kinez Xi Jinping mbërriti në një paradë madhështore ushtarake në kryeqytet, i shoqëruar nga Vladimir Putin dhe Kim Jong Un, ndërsa pas tyre qëndronin liderë nga Irani, Pakistani, Bjellorusia dhe Mianmari. Para 50.000 qytetarëve të mbledhur në Sheshin Tiananmen, ekranet gjigante transmetonin imazhet e spektaklit, të cilat mediat shtetërore i shpërndanë në mbarë vendin. Në Perëndim, mesazhi u interpretua si provokim i drejtpërdrejtë ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj.
Donald Trump reagoi menjëherë në rrjetet sociale, duke ironizuar se Xi, Putin dhe Kim “po komplotonin kundër Amerikës” teksa trupat parakalonin me sinkron të përsosur dhe mbi bulevard kalonin avionë, dronë dhe raketa bërthamore.
Nga “ngritje paqësore” te shfaqja e forcës
Kina prej vitesh ka promovuar idenë e “ngritjes paqësore”, duke kritikuar politikën amerikane si luftënxitëse. Por parada, e organizuar për të përkujtuar fundin e Luftës së Dytë Botërore, shënoi një pikë kthese: një demonstrim i fuqisë së re ushtarake dhe pretendimit të Xi për rolin e saj global.
Një mikrofon i hapur zbuloi bisedën e Xi dhe Putinit për përparime shkencore që mund të zgjasin jetën deri në 150 vjet, sinjal i bindjes së tyre për jetëgjatësinë e pushtetit. Ndërkohë, Kim erdhi me trenin e tij të njohur dhe solli vajzën, që perceptohet si trashëgimtare politike.
Mesazhi i Xi ishte i qartë: bota nuk duhet të drejtohet më nga rregullat e vendosura nga Perëndimi.
“Paqe apo luftë” – zgjedhja e imponuar
Në fjalimin e tij, ulur pranë Putinit dhe Kim-it, Xi akuzoi SHBA-në dhe aleatët për konfliktet aktuale, duke i quajtur “mentalitet i Luftës së Ftohtë” dhe “praktika bullizmi”. Ai tha se siguria e përbashkët mund të arrihet vetëm kur shtetet trajtojnë njëri-tjetrin si të barabartë.
Pak ditë më parë, në Tianjin, Xi kishte shpallur një “iniciativë të re të qeverisjes globale”, duke kërkuar që Jugu Global të ketë më shumë zë në OKB dhe duke propozuar reforma që përfshijnë sistemin financiar, tregtinë, sanksionet dhe teknologjitë e reja. Ky plan shihet si përpjekje për të reduktuar ndikimin amerikan dhe për të fituar mbështetje ndaj politikave kineze, veçanërisht mbi Tajvanin.
Demonstrim armësh dhe objektiva gjeopolitike
Parada shfaqi raketa me teknologji hipersonike, dronë, armë me lazer dhe mjete të tjera të avancuara, duke lënë të kuptohet se ushtria kineze synon të rivalizojë atë amerikane. Xi e paraqiti këtë arsenal si paralajmërim për një zgjedhje të qartë: “paqja apo lufta.”
Prania e Putinit – përgjegjës për pushtimin e Ukrainës – dhe Kim-it – i cili furnizon Rusinë me armë dhe vazhdon ndërtimin e arsenalit bërthamor – e bën mesazhin e Pekinit edhe më të fortë. Analistët paralajmërojnë se kjo bosht treshe mund të thellojë bashkëpunimin ekonomik, teknologjik dhe ushtarak për të sfiduar rendin e udhëhequr nga SHBA.
Nacionalizmi i brendshëm dhe ambiciet afatgjata
Përveç dimensionit ndërkombëtar, parada i shërben Xi-së edhe brenda vendit. Me ekonominë që po ngadalësohet dhe papunësinë në rritje, shfaqje të tilla nxisin nacionalizmin dhe rrisin mbështetjen popullore.
Sipas analistëve, deri në vitin 2049 – kur Kina do të shënojë 100-vjetorin e themelimit të saj – Pekini synon të ketë një ushtri të nivelit botëror, në gjendje të rivalizojë hapur atë amerikane. Por kjo lë pezull një pyetje thelbësore: a mund të quhet një ushtri “botërore” pa qenë testuar ndonjëherë në luftë?