Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, thotë se do t’i godasë filmat e prodhuar në vende të huaja me tarifa 100%, ndërsa përshkallëzon mosmarrëveshjet tregtare me vende anembanë botës.

BBC raporton se Trump tha se po autorizonte Departamentin e Tregtisë dhe Përfaqësuesin e Tregtisë të SHBA-së për të filluar procesin e vendosjes së taksës, sepse industria e filmit në Amerikë po vdiste.

Ai fajësoi një “përpjekje të bashkërenduar” nga vendet e tjera që ofrojnë stimuj për të tërhequr krijues filmash dhe studio, të cilat i përshkroi si një “kërcënim për Sigurinë Kombëtare”.

“Përveç çdo gjëje tjetër, është mesazh dhe propagandë!”, tha Trump në platformën e tij “Truth Social”, ndërsa shtoi “ne duam përsëri filma të bëra në Amerikë!”

Sekretari i Tregtisë i SHBA-së, Howard Lutnick, iu përgjigj njoftimit të fundit, duke thënë:

“Jemi duke punuar për këtë”.