Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen ka bërë një paralajmërim të frikshëm, teksa tha se Evropa ndodhet në situatën më të rrezikshme, që pas Luftës së Dytë Botërore.

Frederiksen ka thënë se puna kryesore për udhëheqësit është të diskutojnë sigurinë dhe mbrojtjen, e po ashtu ndihmën për Ukrainën, teksa e cilësoi Rusinë si rrezikun më të madh.

“Mendoj se është serioze. Mendoj se lufta në Ukrainë është shumë serioze. Kur e shoh Evropën sot, mendoj se jemi në situatën më të vështirë dhe të rrezikshme që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, jo Lufta e Ftohtë. Ka vetëm një vend që është i gatshëm të na kërcënojë dhe është Rusia dhe për këtë arsye, na duhet një përgjigje shumë e fortë”-, ka thënë ajo.

E pyetur në lidhje me ndërhyrjet e fundit me dron në hapësirën ajrore evropiane, Frederiksen thotë se është përgjithësisht në favor të rrëzimit të tyre, por thotë se “duhet të bëhet në mënyrën e duhur”.

“Shpresoj që të gjithë ta kuptojnë tani se ekziston një luftë hibride, dhe një ditë është Polonia, ditën tjetër është Danimarka dhe javën tjetër ndoshta do të jetë diku tjetër që do të shohim të sabotuar, ose do të shohim dronë që fluturojnë”- tha ajo.