Presidenti amerikan Donald Trump u ka bërë të ditur ndihmësve të tij se është i gatshëm të përmbyllë fushatën ushtarake kundër Iran, edhe nëse Ngushtica e Hormuzit vijon të mbetet e mbyllur, raportoi Wall Street Journal.
Sipas raportit, strategjia e Trump synon arritjen e disa objektivave kyç, përfshirë dobësimin e kapaciteteve detare iraniane, reduktimin e arsenalit të raketave dhe uljen e tensioneve në rajon. Njëkohësisht, Uashingtoni po përpiqet të ushtrojë presion ndaj Teheranit për të rifilluar lëvizjen e lirë të anijeve në këtë rrugë të rëndësishme për eksportet globale të naftës.
Mbyllja e ngushticës ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës dhe produkteve ushqimore në tregjet ndërkombëtare, duke ndikuar veçanërisht në ekonomitë evropiane.
Zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar se një operacion ushtarak për rihapjen e ngushticës mund të zgjasë konfliktin përtej planit fillestar prej katër deri në gjashtë javësh. Në rast se përpjekjet diplomatike dështojnë, SHBA pritet t’u kërkojë aleatëve evropianë dhe vendeve të Gjirit të ndërhyjnë për të siguruar kalimin detar.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump foli për përparim në bisedimet me Iranin, duke e cilësuar palën tjetër si një “regjim më të arsyeshëm”. Ai paralajmëroi gjithashtu se, në mungesë të një marrëveshjeje, SHBA mund të godasë objektiva strategjikë si termocentralet, puset e naftës dhe ishullin Kharg.
Që nga nisja e konfliktit, çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm, duke arritur rreth 116 dollarë për fuçi – një nga nivelet më të larta të viteve të fundit, si pasojë e pasigurisë së krijuar nga bllokimi i Ngushticës së Hormuzit.
