Parashikimet më të fundit klimatike tregojnë me një siguri të lartë se fenomeni El Niño, i cili po formohet aktualisht në Paqësorin tropikal, mund të shndërrohet në një nga më të fuqishmit e regjistruar ndonjëherë.
Shkencëtarët paralajmërojnë se fenomeni mund të sjellë thyerje të rekordeve globale të temperaturave, si edhe pasoja të rënda humanitare dhe klimatike në shumë vende të botës.
Pjesë të mëdha të Oqeanit Paqësor po ngrohen me ritme të shpejta, ndërsa të dhënat e publikuara këtë javë tregojnë se temperaturat e sipërfaqes së detit kanë arritur tashmë rreth 0.5 gradë Celsius mbi mesataren normale. Ky konsiderohet një nga treguesit kryesorë të fillimit të fenomenit El Niño, raportoi BBC.
Sipas parashikimeve, El Niño pritet të forcohet gjatë muajve në vijim dhe mund të arrijë kulmin në vjeshtë, duke u kthyer në një “super El Niño”.
Ekspertët druhen se ndikimi i tij mund ta bëjë vitin 2027 vitin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në planet.
NOAA – National Oceanic and Atmospheric Administration njoftoi në parashikimin e saj më të fundit se El Niño pritet të zhvillohet brenda një muaji. Sipas institucionit amerikan, ekziston një probabilitet prej rreth dy të tretash që fenomeni të bëhet i fortë ose shumë i fortë deri në dimrin e ardhshëm.
Meteorologu Nathanial Johnson nga NOAA e përshkroi ritmin e ngrohjes së Paqësorit tropikal si një “dukuri të rrallë”, duke theksuar se kalimi nga fenomeni La Niña në një El Niño potencialisht shumë të fuqishëm brenda vetëm një viti është jashtëzakonisht i pazakontë.
Edhe Australian Bureau of Meteorology (BoM) parashikon zhvillimin e El Niños, por përdor kritere më të rrepta për shpalljen e tij. Sipas BoM, temperaturat e sipërfaqes së detit në Paqësorin tropikal duhet të jenë të paktën 0.8 gradë Celsius mbi mesataren, si dhe të regjistrohet ndryshimi i drejtimit të erërave tregtare në pjesën perëndimore të oqeanit — një tregues se ngrohja e oqeanit ka filluar të ndikojë edhe atmosferën.
