Pas një bisede telefonike mes Presidentit të SHBA-së Trump dhe homologut të tij kinez Xi, pritet një lëvizje në mosmarrëveshjen tregtare mes dy vendeve. Trump njoftoi për bisedime mes delegacioneve të të dy vendeve.
Sipas një njoftimi të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, zyrtarë të lartë nga SHBA-ja dhe Kina do të takohen të hënën në Londër për të zhvilluar bisedime të mëtejshme tregtare. Delegacioni amerikan do të udhëhiqet nga ministri i Financave, Scott Bessent, ministri i Tregtisë Howard Lutnick dhe i ngarkuari për Tregtinë Jamieson Greer, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social. Presidenti i SHBA-së u shpreh me optimizëm: “takimi pritet të shkojë shumë mirë.
Përpjekje për shtensionim
Trumpi po ndjek që nga marrja e detyrës një kurs të ashpër në politikën tregtare ndaj Kinës. Për një moment republikani madje i rriti tarifat doganore ndëshkuese ndaj importeve kineze në SHBA deri në shifrën marramendëse prej 145 përqindësh, të cilave Pekini iu përgjigj me kundër-tarifa. Në mesin e muajit maj të dyja palët ranë dakord në një takim në Zvicër që të ndalonin spiralen e përshkallëzimit dhe ranë dakord, të paktën përkohësisht, për një ulje të ndërsjellë të tarifave doganore ndëshkuese.
