Pas disa ditësh protestash dhe bllokadash që paralizuan pjesë të mëdha të Irlandës, qeveria është detyruar të reagojë dhe të marrë masa për të ulur presionin mbi qytetarët.

Koalicioni qeveritar ka vendosur të zgjasë përjashtimet nga taksa e karburantit dhe të shtyjë rritjen e taksës së karbonit, e cila ishte planifikuar të hynte në fuqi më 1 maj.

Ajo tani pritet të zbatohet në tetor. Po ashtu, është miratuar edhe një ulje prej 10 centësh për litër si për naftën, ashtu edhe për benzinën.

Këto masa pritet të hyjnë në fuqi menjëherë, sapo të marrin miratimin e parlamentit irlandez.

Protestat nisën nga shoferët e kamionëve dhe fermerët, të cilët u ankuan për rritjen e fortë të çmimeve të karburantit.

Brenda pak ditësh, atyre iu bashkuan edhe operatorë taksish dhe autobusësh.

Bllokadat u përhapën në rrugët kryesore, duke shkaktuar trafik të rënduar dhe duke kufizuar aksesin në disa pika kyçe të furnizimit me karburant.

Rritja e çmimeve është ndjerë fort gjatë muajit të fundit, ku nafta është shtrenjtuar ndjeshëm, duke rënduar kostot për transportin dhe bujqësinë. Edhe pse qeveria kishte ndërmarrë më herët disa masa, ato nuk arritën të qetësonin situatën.