Shkrimtari fitues i çmimit Emmy, Dan Greaney, thuhet se do të kandidojë në vitin 2028 për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkrimtari i “The Simpsons”, i cili ‘parashikoi’ një presidencë të Donald Trump 16 vjet para se të ndodhte, ka njoftuar se do të kandidojë për president në zgjedhjet e ardhshme.

Dan Greaney ka shkruar disa episode të serialit të dashur të animacionit, përfshirë një që kontribuoi në reputacionin e serialit se parashikon të ardhmen.

Episodi famëkeq në fjalë është “Bart To The Future”, i cili e sheh Lisën si Presidente të Shteteve të Bashkuara. Në episodin, i cili u transmetua plot 16 vjet para presidencës së Donald Trump, ajo i drejtohet këshilltarit të saj dhe thotë: “Siç e dini, ne kemi trashëguar një krizë të madhe buxhetore nga Presidenti Trump”.

Në një video të postuar në “Instagram”, fituesi katër herë i çmimit Emmy është veshur si magjistar dhe e përshkruan veten si një “profet i vetëshpallur”, përpara se të përshkruajë problemet politike të Amerikës.

“Trump, Vance, miliarderët, karrieristët dhe frikacakët në të dyja partitë i kanë kthyer shpinën [SHBA-së]. Paratë, pushteti dhe siguria janë për ta, por jo për ju”.

“Në Amerikë, qeveria supozohet të punojë për të gjithë. Demokraci për të gjithë, llogaridhënie për të gjithë, prosperitet për të gjithë. Ne duhet ta rivendosim këtë. Do të doja shumë të ndihmoja, por unë nuk jam avokat. Unë jam thjesht një profet i vetëshpallur… që shkoi në shkollë juridike, u diplomua, kaloi provimin e avokatisë… Prit! Unë jam avokat!”, vazhdon ai.

Pavarësisht se sa qesharake mund të duket njoftimi, ai e bën Greaney-n një nga të parët që shpalli kandidaturën e tij për zgjedhjet e vitit 2028.

Shkrimtari i komedisë duket se po mbështet kujdesin shëndetësor universal dhe një kthim te morali, sipas faqes së tij në “Instagram”.

Sipas një njoftimi për shtyp nga fushata e Greaney: “Platforma e tij përfshin rivendosjen e normave demokratike së bashku me politikat progresive si kujdesi shëndetësor universal dhe Pakti i Ri i Gjelbër, të unifikuara nën idenë qendrore të fushatës për ndërtimin e një Amerike që funksionon për të gjithë”.

View this post on Instagram

A post shared by Dan Greaney (@dangreaneyusa)

Sipas ligjit aktual, Trump nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë. Asnjë president nuk lejohet të shërbejë më shumë se dy mandate në detyrë.

Megjithatë, Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të kandidojë përsëri, duke thënë vitin e kaluar se nuk e ka përjashtuar mundësinë dhe se do të “do të donte shumë ta bënte”.

Organizata Trump ka shitur tashmë kapele të kuqe që shkruajnë “Trump 2028”, me sa duket duke e promovuar atë si kandidat në zgjedhje.