Bashkimi Evropian ka vendosur të pezullojë ratifikimin e marrëveshjes tregtare me Shtetet e Bashkuara, në pritje të qartësimit të strategjisë së re të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me tarifat doganore. Vendimi shton një tjetër element pasigurie në marrëdhëniet ekonomike mes dy anëve të Atlantikut.
Eurodeputetët votuan të hënën për ndërprerjen e përkohshme të procedurave legjislative, vetëm disa ditë pasi Gjykata Supreme e SHBA-së rrëzoi përdorimin nga administrata Trump të ligjit për kompetencat emergjente për vendosjen e tarifave të ashtuquajtura “reciproke” në shkallë globale.
“Ne duam qartësi për situatën. Duam garanci të qarta nga SHBA-ja se e respekton marrëveshjen, sepse kjo është një element kyç”, deklaroi presidenti i Komisionit për Tregtinë Ndërkombëtare në Parlamentin Evropian, Bernd Lange.
Shtyrja zgjat më tej një proces që kishte nisur verën e kaluar, kur marrëveshja u arrit në parim, por ende nuk ka hyrë plotësisht në fuqi. Dështimi i saj mund të hapë një fazë të re tensioni, në një moment kur marrëdhëniet BE–SHBA janë përballur me sfida të shumta, përfshirë qëndrimet e Uashingtonit ndaj luftës në Ukrainë dhe deklaratat e ashpra ndaj liderëve evropianë.
Nga ana tjetër, Trump paralajmëroi në rrjetet sociale se vendet që, sipas tij, do të “luajnë lojëra” me vendimin e Gjykatës Supreme do të përballen me tarifa edhe më të larta. Pas vendimit të gjykatës, ai shpalli një tarifë globale prej 10%, të cilën më pas e rriti në 15%, duke lënë të paqartë mënyrën se si këto masa do të harmonizohen me marrëveshjet ekzistuese tregtare.
Presidenti amerikan njoftoi gjithashtu se do të mbajë në fuqi tarifat e vendosura mbi bazën e neneve 301 dhe 232 të legjislacionit amerikan për tregtinë, ndërsa ka udhëzuar nisjen e hetimeve të reja të përshpejtuara sipas Nenit 301. Këto procedura kërkojnë hetime të veçanta për çdo vend dhe konstatime konkrete përpara vendosjes së tarifave, duke lënë të hapur mundësinë e zëvendësimit të normës bazë globale në të ardhmen.
