Një ngjarje e rëndë po shqyrtohet nga drejtësia britanike, ku 31-vjeçari Steve Garner akuzohet për vrasjen e partneres së tij, Amber O’Brien, 33 vjeçe, e cila ishte shtatzënë me binjakë.
Sipas dëshmive të paraqitura në gjykatë, gruaja u godit më shumë se 60 herë me thikë gjatë muajit prill të vitit të kaluar, pas një konflikti mes çiftit. Pjesa më e madhe e plagëve ishin në fytyrë dhe në qafë.
Trupi i 33-vjeçares u gjet në dyshemenë e banjës së banesës ku ajo jetonte së bashku me Garner. Pas ngjarjes, sipas akuzës, i dyshuari kaloi rreth 36 orë duke u përpjekur të zhdukte gjurmët.
Prokuroria pretendon se ai lau trupin e viktimës, pastroi banesën me zbardhues, largoi rrobat e përgjakura dhe shkatërroi dy telefonat që ndodheshin në shtëpi.
Gjatë procesit gjyqësor u bë e ditur gjithashtu se Amber kishte folur më parë me të vëllanë për debatet e shpeshta që kishte me partnerin e saj.
Nga ana tjetër, sipas dëshmive të paraqitura në gjykatë, Garner ka pretenduar se nuk kishte pasur si qëllim t’i shkaktonte partneres dëmtime të rënda trupore.
Çështja vijon të shqyrtohet nga gjykata britanike, ndërsa rrethanat e plota të vrasjes dhe përgjegjësia penale e të akuzuarit do të përcaktohen gjatë procesit gjyqësor.
