Pas gati katër dekadash nga një prej krimeve më tronditëse të pazbardhura në Francë, prindërit e Inass Touloub, vajzës 4-vjeçare që u gjet e pajetë dhe e gjymtuar në një autostradë në vitin 1987, janë ulur në bankën e të akuzuarve.

Procesi gjyqësor ka nisur në gjykatën e Blois, ku nëna 72-vjeçare, Halima El Bakhti, akuzohet për torturë dhe akte barbare që dyshohet se i morën jetën të bijës. Ndërsa babai, 74-vjeçari Ahmed Touloub, akuzohet për bashkëpunim. Të dy rrezikojnë dënimin me burgim të përjetshëm.

Ngjarja e rëndë u zbulua më 11 gusht 1987, kur punëtorët e autostradës A10 gjetën trupin e vogëlushes në një kanal pranë Suèvres, mes Orléans dhe Tours. Trupi kishte shenja të shumta dhune, përfshirë djegie dhe kafshime. Për shkak të rrethanave makabre, mediat franceze e cilësuan atë si “martirja e vogël e A10”.

Në atë kohë, askush nuk kishte raportuar zhdukjen e fëmijës, ndaj autoritetet nisën një operacion të gjerë kërkimi. Informacionet për vajzën u shpërndanë në më shumë se 30 shtete, ndërsa fotografia e saj u afishua në dhjetëra mijëra shkolla dhe bashki. Megjithatë, hetimet nuk arritën të identifikonin viktimën dhe dosja u mbyll dy herë, në vitet 1991 dhe 1997.

Kthesa vendimtare erdhi në vitin 2018, kur analizat e ADN-së së vëllait të vogëlushes zbuluan përputhje me gjurmët gjenetike të gjetura në rrobat e saj dhe në batanijen me të cilën ishte mbështjellë trupi. Kështu u identifikua Inass Touloub dhe në qershor të po atij viti u arrestuan prindërit e saj.

Gjatë marrjes në pyetje, të dy kanë mohuar përgjegjësinë për dhunën që i shkaktoi vdekjen vajzës, duke fajësuar njëri-tjetrin. Procesi u vonua për vite me radhë për shkak të procedurave ligjore, deri në shtator 2024, kur Gjykata e Kasacionit i hapi përfundimisht rrugën zhvillimit të gjyqit.

Nisja e procesit është pritur prej kohësh edhe nga banorët e zonës, ku vogëlushja është varrosur dhe ku varri i saj vizitohet rregullisht. Gjyqi në Blois pritet të vijojë deri më 18 nëntor.