Autoritetet amerikane kanë arrestuar së fundmi dy shtetase me origjinë iraniane, Hamideh Soleimani Afshar dhe vajzën e saj Sarinasadat Hosseiny, duke i akuzuar për lidhje me regjimin iranian dhe përhapje të propagandës antiamerikane.
Sipas Departamenti i Shtetit i SHBA-së, të dyjave u është revokuar leja e përhershme e qëndrimit (“Green Card”), pasi dyshohet se kanë mbështetur publikisht struktura të cilësuara si terroriste dhe kanë shpërndarë mesazhe në favor të regjimit në Iran.
Zyrtarët amerikanë pretendojnë se Afshar, gjatë qëndrimit të saj në Shtetet e Bashkuara, ka reaguar pozitivisht ndaj sulmeve kundër forcave amerikane në Lindjen e Mesme, si dhe ka lavdëruar udhëheqjen iraniane, duke përdorur edhe retorikë të ashpër kundër SHBA-së.
47-vjeçarja kishte hyrë fillimisht në SHBA në vitin 2015 me vizë turistike, për të përfituar më pas azil në vitin 2019 dhe status të përhershëm në 2021. Vajza e saj kishte marrë dokumentet e qëndrimit në vitin 2023. Sipas autoriteteve, Afshar kishte udhëtuar disa herë drejt Iranit edhe pas marrjes së “Green Card”.
Ndërkohë, raportimet tregojnë se ato bënin një jetë luksoze në Los Angeles, duke ekspozuar në rrjetet sociale makina të shtrenjta dhe udhëtime në destinacione të ndryshme.
Arrestimi është kryer nga agjentët e emigracionit, ndërsa autoritetet theksojnë se statusi i qëndrimit në SHBA nuk është i përhershëm dhe mund të hiqet nëse konsiderohet rrezik për sigurinë kombëtare.
Reagim ka pasur edhe nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili deklaroi se SHBA nuk do të tolerojë individë që mbështesin regjime armiqësore brenda territorit të saj.
Ngjarja vjen në një klimë të tensionuar mes SHBA-së dhe Iranit, që prej vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani në vitin 2020, gjatë një sulmi me dron të urdhëruar nga presidenti Donald Trump pranë aeroportit të Bagdadit.



