Papa Leo XIV u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Iranit që të vazhdojnë bisedimet për paqe me qëllim dhënien fund të luftës, duke theksuar se konflikti ka lënë pas “një popullatë të tërë në Iran me njerëz të pafajshëm që vuajnë”.

Deklaratat e tij vijnë pas një përplasjeje publike me presidentin amerikan, Donald Trump, i cili publikoi një reagim të gjatë kritik ndaj Papës.

“Do të inkurajoja vazhdimin e dialogut për paqe, që të gjitha palët të bëjnë çdo përpjekje për të promovuar paqen, për të larguar kërcënimin e luftës dhe për të respektuar të drejtën ndërkombëtare,” deklaroi Papa gjatë një fluturimi drejt Romës, pas një vizite në katër vende afrikane.

Ai theksoi se, si udhëheqës shpirtëror, nuk mund të mbështesë luftën dhe se është e nevojshme që të kërkohen zgjidhje që burojnë nga kultura e paqes, jo nga urrejtja dhe përçarja.

Papa Leo XIV ndau gjithashtu një histori prekëse, duke treguar se mban me vete fotografinë e një fëmije mysliman nga Libani, i cili gjatë vizitës së tij vitin e kaluar mbante një pankartë me mbishkrimin “Mirë se erdhe Papa Leo”.

“Në këtë fazë të fundit të luftës, ai u vra,” tha Papa, duke e përdorur këtë shembull për të nënvizuar pasojat tragjike të konfliktit mbi civilët.