Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy do të përballet me apelin ndaj dënimit për konspiracion, në lidhje me financimin e paligjshëm nga Libia për fushatën e tij presidenciale të suksesshme në vitin 2007. Gjykata e Apelit në Paris njoftoi të enjten e 13 nëntorit, se seancat do të zhvillohen nga 16 marsi deri më 3 qershor.
Këtë javë, Sarkozy u lirua nga burgu pasi gjykata vendosi që ai nuk duhet të vuajë dënimin me burg gjatë kohës që pritet vendimi i apelit, në kundërshtim me vendimin fillestar. Ish-presidenti tani synon të rrëzojë dënimin me pesë vjet burg të dhënë në muajin shtator.
“E vërteta do të triumfojë. Kjo është një e vërtetë që jeta na mëson,” shkroi Sarkozy në rrjetin social X pasi u rikthye në shtëpi.
Sjellim ndërmend se Sarkozy u shpall fajtor për konspiracion për të siguruar fonde për fushatën e tij presidenciale të vitit 2007 nga ish-udhëheqësi libian Muammar Gaddafi.
Burgosja e ish-liderit konservator francez, i cili ishte president nga viti 2007 deri në 2012, shënoi një rënie të bujshme për një politikan që dikur kishte një prani të fuqishme në skenën globale.
