Ish-udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është përcjellë në banesën e fundit në qytetin e lindjes, Mashhad, pas disa ditësh ceremonish mortore dhe zie kombëtare që u zhvilluan në Iran dhe Irak.
Ceremonia e varrimit u mbajt në orët e para të mëngjesit, pasi trupi i Khameneit ishte ekspozuar më herët për homazhe në disa qytete. Sipas mediave shtetërore iraniane, mijëra qytetarë morën pjesë në ceremonitë përkujtimore, duke mbajtur flamuj iranianë, portrete të ish-udhëheqësit dhe pankarta me slogane revolucionare.
Në ceremoninë përfundimtare ra në sy mungesa e Mojtaba Khameneit, djalit të tij dhe një prej emrave më të përfolur si pasardhës i mundshëm në krye të Republikës Islamike. Lutjen mortore mbi trupin e Ali Khameneit e udhëhoqi djali i madh, Mostafa Khamenei.
Gjatë ceremonive, pjesëmarrësit brohoritën parulla kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, ndërsa kërkuan hakmarrje për vdekjen e ish-udhëheqësit suprem. Për mbarëvajtjen e aktiviteteve, autoritetet iraniane vendosën masa të rrepta sigurie, duke mbyllur rrugë, kufizuar trafikun ajror dhe reduktuar aktivitetin në Teheran dhe qytete të tjera.
Varrimi në Mashhad mbart edhe një simbolikë të veçantë historike. Ali Khamenei bëhet një nga figurat më të rëndësishme shtetërore që prehet në këtë qytet, i njohur si një prej qendrave më të rëndësishme fetare të Iranit.
Vdekja e tij vjen në një moment të ndjeshëm për rajonin e Lindjes së Mesme, mes tensioneve të vazhdueshme. Autoritetet iraniane e kanë cilësuar pjesëmarrjen masive në ceremonitë mortore si dëshmi të unitetit kombëtar dhe mbështetjes për Republikën Islamike.
