Ish-shefi i Zyrës së Zelenskyt njofton dorëheqjen dhe planin për t’u bashkuar me frontin: “Nuk dua t’i shkaktoj probleme presidentit”
Andriy Yermak, ish-shefi i kabinetit të Presidentit të Ukrainës, ka njoftuar se ka marrë vendimin për t’u larguar nga posti dhe për t’u bashkuar me vijën e frontit. Lajmi është bërë i ditur përmes një letre të dërguar për The New York Post, ku ai shpjegon se nuk dëshiron të jetë barrë apo të krijojë vështirësi për Presidentin Volodymyr Zelensky.
Yermak nuk ka dhënë ende detaje se kur dhe si do t’i bashkohet forcave ukrainase, por ka lënë të nënkuptohet se vendimi i tij është përfundimtar.
Ai shprehet thellësisht i zhgënjyer nga sulmet dhe akuzat e fundit të bëra ndaj tij, si dhe nga heshtja e atyre që, sipas tij, e njohin situatën reale.
“Jam i neveritur nga balta që hidhet mbi mua dhe edhe më i neveritur nga mungesa e mbështetjes së atyre që e dinë çfarë po ndodh,” ka shkruar Yermak në mesazhin e tij.
Ndërkohë, Presidenti Volodymyr Zelensky, nëpërmjet një postimi në Telegram, ka bërë të ditur se ka nisur procesi i “rifreskimit” të stafit presidencial. Ai konfirmoi se Yermak ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen e tij gjatë ditës së sotme.
“Jam mirënjohës Andriy-t, i cili gjithmonë ka përfaqësuar denjësisht pozicionin e Ukrainës në negociata. Qëndrimi i tij ka qenë gjithmonë patriotik. Por dua të shmang thashethemet dhe spekulimet,” tha Zelensky.
Presidenti theksoi se nesër do të zhvillojë konsultime për të vendosur se kush do të marrë detyrën e shefit të stafit, duke shtuar se ky ndryshim vjen në një kohë kur vendi ka nevojë për “forcë të brendshme”, përpara bisedimeve të rëndësishme që lidhen me një marrëveshje të mundshme paqeje.
