Një demonstratë e madhe nga fermerët është planifikuar sot në qendër të Brukselit, kundër politikës bujqësore të ndjekur nga Bashkimi Europian.

Organizata europiane e fermerëve Copa-Cogeca, e cila po organizon eventin, pret 10,000 pjesëmarrës, ndërsa kryeqyteti belg është fortifikuar…

Tashmë në Bruksel, sipas përditësimit të policisë, 150 traktorë mbërritën herët të enjten në mëngjes, ndërsa dy tunele që të çojnë në qendër të qytetit janë mbyllur.

Sipas organizatorëve, fermerët po protestojnë, kundër reformave të PPB-së dhe buxhetit të BE-së dhe “marrëveshjeve tregtare të papranueshme” si ajo me bllokun tregtar të Amerikës së Jugut Mercosur.

Demonstrata zhvillohet pak para se Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian, të niset për në Brazil për të nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë Mercosur dhe gjatë një takimi të krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian mbi buxhetin e ardhshëm të BE-së.

Franca dhe Italia janë kritike ndaj marrëveshjes tregtare Mercosur, pavarësisht marrëveshjes së përkohshme të arritur nga Bashkimi Evropian të mërkurën.

Ndër të tjera, ajo parashikon vendosjen e kontrolleve mbi importet e produkteve bujqësore që do të rezultojnë nga marrëveshja e planifikuar tregtare me bllokun e Amerikës së Jugut Mercosur, në një veprim që mund t’u përgjigjet disa prej kundërshtimeve të kritikëve të marrëveshjes.

Kompromisi përfshin dy elementë kryesorë: futjen e një limiti prej 8% të importit, mbi të cilin BE mund të ndërhyjë për të zbutur ndikimin në tregun e brendshëm, duke mbrojtur sektorët më të ekspozuar dhe një deklaratë mbi standardet e prodhimit që zbatohen për produktet e importuara, të shoqëruara me kontrolle të përforcuara sanitare.

BE dhe vendet e Mercosur (Argjentina, Brazili, Paraguai dhe Uruguai) përfunduan negociatat dhjetorin e kaluar për të krijuar marrëveshjen më të madhe tregtare që BE ka arritur ndonjëherë në aspektin e uljes së tarifave, pas rreth 25 vitesh bisedime.

Organizatat mjedisore këmbëngulin që asnjë marrëveshje nuk duhet të minojë angazhimet e BE-së për bujqësi të qëndrueshme dhe në veçanti për parandalimin e shpyllëzimit në Amazonë.

Top Channel