Një nga personat më të kërkuar të Byrosë Federale të Hetimit është arrestuar pas gati një dekade arratie. FBI konfirmoi se Alejandro Alex Rosales Castillo është kapur në qytetin Pachuca të Meksikës, 10 vjet pas vrasjes së një gruaje të re në Karolinën e Veriut.

Castillo akuzohet për vrasjen e ish-të dashurës së tij, Truc Quan Sandy Ly Le, një ngjarje e ndodhur në vitin 2016. Trupi i saj u gjet më 17 gusht të atij viti në Cabarrus County, ndërsa automjeti i viktimës u zbulua i braktisur në një stacion autobusësh në Phoenix, Arizona, çka orientoi hetimet drejt kufirit jugor të SHBA-së.

Pamjet e mbikëqyrjes kufitare treguan se Castillo kishte kaluar nga Arizona në Meksikë vetëm një ditë përpara se trupi i Ly Le të gjendej. Pas këtij momenti, ai u zhduk pa lënë gjurmë, duke u bërë objekt i një kërkimi ndërkombëtar që zgjati afro dhjetë vjet.

Arrestimi i tij u konfirmua nga zyrtarët e FBI-së në Charlotte, të cilët bënë me dije se Castillo aktualisht po mbahet në Mexico City, ndërsa kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Karolinës së Veriut. Operacioni u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes autoriteteve amerikane dhe atyre meksikane.

Alejandro Rosales Castillo ishte personi i 516-të i futur në listën famëkeqe të “Ten Most Wanted Fugitives” të FBI-së. Autoritetet amerikane deklarojnë se do të vijojnë të ndjekin çështjen deri në kthimin e tij në SHBA dhe përballjen me drejtësinë për krimin e rëndë për të cilin akuzohet.