Deklaratat e Donald Trumpit për tërheqjen e trupave amerikane jo vetëm nga Gjermania, por edhe nga Italia dhe Spanja lidhen me mosmarrëveshjet për veprimet e SHBA-së në luftën me Iranin.
“Këtë me shumë gjasa do ta bëj, pse të mos e bëj?”, tha Trump duke ju përgjigjur një pyetjejeje të gazetarëve lidhur me zhvendosjen e mundshme të trupave.
Trumpi kritikoi veçanërisht Romën dhe Madridin: “Italia nuk na ka ndihmuar fare, dhe Spanja ka qenë e tmerrshme, absolutisht e tmerrshme.”
Sfondi i këtyre tensioneve lidhet me rezistencën në rritje brenda Evropës ndaj përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit me Iranin.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, është shprehur qartë kundër zgjerimit ushtarak të konfliktit dhe ka bërë thirrje për zgjidhje diplomatike. Që në fillim të sulmit të SHBA-së kundër Iranit, qeveria spanjolle e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund t’i përdorin bazat ushtarake spanjolle për këtë qëllim. Më pas u bë e njohur se Spanja e kishte mbyllur edhe hapësirvn e saj ajrore për avionët amerikanë, që marrin pjesë në misionin ushtarak në Iran.
Edhe në Itali po vërehet një distancim gjithnjë e më i madh nga linja amerikane. Veçanërisht për t’u përemendur është përkeqësimi i marrëdhënieve mes Trumpit dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni. Meloni konsiderohej për një kohë të gjatë si një nga aleatet më të afërta evropiane të Trumpit. Megjithatë, sipas vëzhguesve politikë, qëndrimi i saj i rezervuar ndaj sulmeve amerikane ndaj objektivave iraniane ka ndikuar për përkeqësimin e marrëdhënieve. Ndërsa Uashingtoni kërkonte mbështetje maksimale, Roma është përpjekur të shmangë përfshirjen e drejtpërdrejtë në konflikt.
Marrëdhënia e Melonit me Trumpin nisi të ftohet ndjeshëm që kur ajo u shpreh kundër kërcënimeve të tij për të aneksuar Groenlandën. Po ashtu pas sulmeve të Donald Trumpit ndaj Papës Leo XIV, pasi ky kritikoi luftën e SHBA dhe Izraelit kundër Iranit, Meloni nxitoi në mbrojtje të Papës.
Sipas të dhënave zyrtare amerikane, më 31 dhjetor 2025 në Itali ishin të stacionuar 12.662 ushtarë amerikanë, në Spanjë 3.814 dhe në Gjermani 36.436. Një tërheqje e mundshme do të kishte pasoja jo vetëm ushtarake, por edhe politike, duke ndikuar ndjeshëm në NATO dhe në arkitekturën e sigurisë në Evropë./DW
