Radio-Televizioni i Vojvodinës (RTV) e nisi edicionin e lajmeve të orës 17:00 me një kërkimfalje publike drejtuar shikuesve, duke pranuar se për vite me radhë nuk e kishte përmbushur siç duhet misionin e një transmetuesi publik.

Pas transmetimit të pamjeve nga festimet e rezultateve zgjedhore dhe qytetarët e mbledhur në Sheshin e Lirisë në Novi Sad, prezantuesi Goran Eror deklaroi se televizioni u detyrohej qytetarëve një ndjesë për ngjarjet që nuk u kishte përcjellë gjatë natës së mëparshme.

“Për shumë vite, shërbimi publik nuk e ka përmbushur funksionin e tij. Ngjarje janë heshtur, informacioni është përcjellë në mënyrë të njëanshme dhe raportimi ka munguar në frymën kritike. Nuk janë bërë pyetjet e duhura ose nuk janë bërë fare pyetje. Për të gjitha këto, u detyrohemi shikuesve një kërkimfalje”, deklaroi Eror.

Ai theksoi gjithashtu se një pjesë e punonjësve të RTV-së kishte luftuar për lirinë e gazetarëve dhe redaktorëve, si dhe për respektimin e standardeve etike të gazetarisë.

Në të njëjtin edicion u njoftua edhe dorëheqja e Nenad Ćaćić nga posti i drejtuesit të programit të parë televiziv, pas kërkesave të një pjese të punonjësve dhe drejtorit të përgjithshëm të RTV-së, Goran Karaxhiç. Në këtë detyrë u emërua Blažo Popović, ndërsa Predrag Novković mori postin e drejtorit të programit.

Sipas raportimit të medias serbe N1, shkarkimi i kryeredaktorit ishte gjithashtu një nga kërkesat e sindikatës “Nezavisnost”, e cila kishte ngritur shqetësime për integritetin e televizionit dhe mënyrën e raportimit.

Kërkimfalja erdhi në një kohë kur punonjësit e RTV-së po kërkojnë respektimin e standardeve profesionale dhe etike, duke theksuar detyrimin për të informuar publikun në mënyrë të saktë, objektive, të plotë dhe në kohë.

“Na duhet e vërteta”, ishte mesazhi i Darko Šper, përfaqësuesit të sindikatës “Nezavisnost”, drejtuar gazetarëve të transmetuesit publik.