Duket se rrugët e Nju Jorkut janë përfshirë nga kaosi, teksa siguria është rritur për shkak të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Teksa ditën e djeshme presidenti francez Emmanuel Macron u bllokua në rrugë për shkak se po kalonte kolona e homologut të tij amerikan, Donald Tryump, e njëjta situatë është përsëritur, këtë herë më protagonist presidentin truk Rexhep Tajip Erdogan.

Në pamje të publikuara, Erdogan shihet dukshëm i irrituar, teksa qëndron në këmbë për disa minuta, në pritje që të përfundojë lëvizja e autokolonës së Trump. Sipas mediave ndërkombëtare, presidenti turk nuk fshehu pakënaqësinë e tij dhe nuk pati asnjë prirje për të reaguar me humor ndaj situatës.

Krejt ndryshe ishte reagimi i presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ndodhej në të njëjtën situatë një natë më parë. Gjatë daljes nga selia e OKB-së pas fjalimit të tij, në të cilin njoftoi edhe vendimin historik për njohjen e shtetit të Palestinës nga Franca, Macron u përball me bllokimin total të qarkullimit për shkak të autokolonës së Trump.

Sipas dëshmitarëve, një polic i shpjegoi presidentit francez: “Na ndjeni, zoti president, gjithçka është e mbyllur, qarkullimi është ndërprerë përkohësisht”.

Megjithatë, Macron reagoi me sportivitet. Ai mori në telefon presidentin amerikan dhe u dëgjua duke i thënë me humor: “Mendo pak, jam bllokuar në rrugë sepse gjithçka është ndalur për ty”.