Kanalet muzikore të MTV do të ndërpriten në gjithë Evropën deri në fund të vitit 2025. Është vërtet fundi i një epoke për ata që kaluan pjesë të çmuara të fëmijërisë së tyre para ekranit, duke pritur me padurim videoklipin më të ri, renditjen javore të hiteve apo gjithë magjinë e modës dhe kulturës pop që ofronte MTV-ja. Gjiganti i argëtimit Paramount Global ka njoftuar lajmin se pas 44 vjetësh transmetim të pandërprerë, një institucion i vërtetë kulturor do të mbyllet përgjithmonë më 31 dhjetor 2025. Do të ndalen pesë prej kanaleve më të dashura muzikore si MTV Music, MTV 80s, MTV 90s, Club MTV dhe MTV Live. Fillimisht do të ndalen në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, për t’u fikur më pas edhe në Francë, Gjermani, Austri, Poloni, Hungari, Australi dhe Brazil.

Ky vendim vjen në kuadër të masave të forta për uljen e kostove të ndërmarra nga Paramount Global, e cila këtë vit po bashkohet me Skydance Media. Përveç aspektit financiar, mbyllja pasqyron ndryshimet e mëdha në zakonet e shikimit dhe dëgjimit të audiencës, pasi dashamirët e muzikës janë zhvendosur masivisht drejt platformave digjitale. Rrjetet sociale dhe platformat e transmetimit online janë bërë konkurrentë të pamëshirshëm, duke e bërë të pamundur për kanalet televizive të mbajnë ritmin.

Kjo mbyllje shënon fundin e një trashëgimie të kulturës pop që nisi në SHBA në 1981, kur MTV transmetoi për herë të parë videon profetike “Video Killed The Radio Star” nga The Buggles. MTV nisi transmetimet në Evropë në vitin 1987 dhe emisione si MTV Unplugged u shndërruan në institucione më vete. Marka MTV do të vazhdojë të ekzistojë përmes platformave digjitale dhe eventeve të njohura si VMA-t dhe EMA-t, por me fundin e vitit 2025, muzika në ekranet televizive, ashtu siç e kanë njohur brezat e tërë, do të jetë vetëm kujtim.