Autoritetet në Romë kanë shpallur “zonë të kuqe” hapësirën përreth Koloseut, duke rritur praninë e policisë dhe ushtrisë pas shtimit të rasteve të kriminalitetit në qendrën historike të kryeqytetit italian.
Masa u vendos në fund të muajit gusht dhe do të mbetet në fuqi të paktën deri më 24 dhjetor. Sipas autoriteteve, synimi është rritja e sigurisë për banorët dhe turistët që vizitojnë çdo ditë një nga zonat më të frekuentuara të Romës.
Vendimi erdhi pas një sërë incidentesh, mes tyre edhe një sulm në muajin korrik, kur rreth 50 të rinj sulmuan efektivët e policisë duke përdorur fishekzjarre, duke lënë të plagosur disa prej tyre.
Sipas autoriteteve romake, rritja e kriminalitetit lidhet me vjedhjet, trafikun e drogës dhe prishjen e rendit publik në qendrën historike.
Në “zonën e kuqe”, forcat e policisë do të jenë të pranishme gjatë gjithë ditës, ndërsa do të shtohen edhe patrullat e ushtrisë. Aktualisht, ushtria italiane ruan edhe pika të tjera turistike të vendit me barriera dhe pika të përkohshme kontrolli.
Pavarësisht masave të marra, turistët vijojnë të raportojnë raste vjedhjesh. Një turiste nga Filadelfia, Janelle Triton, tha për CNN se pa një grua të grabitej pranë Koloseut, ndërsa autori u largua para se të mbërrinte policia. Ajo shtoi se stafi i hotelit e kishte këshilluar të mos lëvizte pranë Koloseut gjatë natës.
Autoritetet e lidhin situatën edhe me hapjen e stacionit të ri të metrosë pranë Koloseut, i inauguruar në dhjetor 2025. Sipas përgjegjësit për sigurinë në Romë, Lamberto Giannini, lidhjet e reja të transportit e kanë bërë më të lehtë ardhjen në qendrën historike të grupeve të margjinalizuara të të rinjve, të cilët, sipas tij, kanë nisur të shënjestrojnë turistët dhe banorët.
Shpallja e “zonës së kuqe” u jep autoriteteve kompetenca më të gjera për të ndërhyrë ndaj personave që konsiderohen rrezik për sigurinë publike. Ata mund të ndalohen ose të largohen nga zona e mbrojtur, nëse plotësohen kushtet ligjore.
Përveç Koloseut, masa të shtuara sigurie janë vendosur edhe pranë stacionit qendror Termini, Bazilikës së Shën Pjetrit dhe Bazilikës Santa Maria Maggiore. Autoritetet romake pritet të publikojnë gjatë këtij muaji një raport mbi efektet e “zonës së kuqe” në uljen e kriminalitetit dhe rritjen e sigurisë.
