Pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të zvogëluar numrin e personelit në bazën ajrore Al-Udeid në Katar, edhe Mbretëria e Bashkuar ka nisur të tërheqë pjesëtarët e saj ushtarakë nga kjo bazë, në një kohë kur tensionet rajonale po rriten për shkak të situatës në Iran.

Zyrtarë amerikanë e kanë cilësuar këtë tërheqje si një “masë paraprake”, ndërsa qeveria e Katarit konfirmoi se veprimet po merren “për t’u përgjigjur tensioneve aktuale rajonale”. BBC raporton se largimi i pjesëtarëve britanikë është bërë paralelisht me atë amerikan.

Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA-të mund të ndërmarrin “masa shumë të forta” në rast të ekzekutimeve të protestuesve antiqeveritarë nga autoritetet iraniane, ndërsa Teherani ka deklaruar se do të kundërpërgjigjet në rast sulmi amerikan.

Organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë se mbi 2,400 demonstrues janë vrarë gjatë shtypjes së protestave në Iran, përfshirë 12 fëmijë, dhe mbi 18,400 persona janë arrestuar, pavarësisht ndërprerjes së internetit në vend, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut (HRANA) me seli në SHBA.