Ministria e Energjisë e Iranit u ka bërë thirrje qytetarëve që të reduktojnë përdorimin e energjisë elektrike, pasi rrjeti kombëtar po përballet me presion të shtuar pas sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.
Në një deklaratë zyrtare, ministria kërkoi që banorët të shmangin përdorimin e kondicionerëve gjatë orëve të pikut, me qëllim garantimin e një furnizimi më të qëndrueshëm me energji, veçanërisht në provincat jugore ku temperaturat kanë arritur nivele ekstreme.
Autoritetet iraniane thanë se disa zona po përballen me vështirësi për shkak të dëmtimeve në termocentrale dhe kërkuan bashkëpunimin e qytetarëve për të menaxhuar situatën.
Ndërkohë, një burim ushtarak sirian ka mohuar raportimet se Irani ka kryer bombardime ndaj bazës ushtarake Al-Tanf në juglindje të Sirisë. “Ne mohojmë çdo bombardim iranian në drejtim të rajonit Al-Tanf”, deklaroi burimi për AFP.
Më herët, Irani kishte njoftuar se kishte goditur atë që e quajti “qendrën e komandës së operacioneve speciale të armikut” në zonën Al-Tanf, duke fajësuar Shtetet e Bashkuara për praninë e mëparshme në këtë bazë.
