Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka vendosur të akordojë një fond shtesë prej 25 milionë paundësh për forcimin e masave të sigurisë në zonat ku jetojnë komunitete hebraike, pas incidentit të ndodhur të mërkurën në Golders Green të Londrës.

Sipas autoriteteve britanike, financimi i ri do të përdoret për rritjen e pranisë policore, zgjerimin e patrullimeve dhe përforcimin e sistemeve të mbrojtjes në institucione të rëndësishme të komunitetit hebre, përfshirë sinagogat, shkollat dhe qendrat komunitare.

Ndërkohë, zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar duke i kërkuar Londrës masa më të forta për garantimin e sigurisë së hebrenjve në Britani.

Në deklaratën zyrtare të publikuar nga qeveria izraelite, theksohet se autoritetet britanike duhet të veprojnë me vendosmëri ndaj çdo akti antisemitik dhe të sigurojnë që personat përgjegjës të përballen me drejtësinë.

Reagimi vjen në një moment tensionesh dhe shqetësimesh në rritje lidhur me incidentet antisemitike të raportuara së fundmi në disa zona të Mbretërisë së Bashkuar.