Hong Kongu po voton sot për të zgjedhur ligjvënësit e rinj vendorë sipas rregullave të vendosura nga Pekini në vitin 2021, teksa autoritetet vendore përpiqen të inkurajojnë qytetarët të marrin pjesë pas zjarrit vdekjeprurës që Hong Kongu ka përjetuar prej dekadash.

Qytetarët e ish-kolonisë britanike, e cila iu rikthye Kinës në vitin 1997 dhe tani është një rajon i veçantë administrativ dhe metropol financiar, do të mund të votojnë nga ora 07:30 për të zgjedhur 90 anëtarët e këshillit legjislativ të Hong Kongut vetëm 20 nga vendet përcaktohen me votim të drejtpërdrejtë.

Deri në mesditë, pjesëmarrja ishte 10.33%, nga 9.35% në zgjedhjet e fundit.

“Vota juaj është një votë që do të çojë përpara reformat dhe do të mbrojë ata që preken nga fatkeqësia”, u tha gazetarëve drejtori ekzekutiv vendor John Lee pasi hodhi votën e tij, duke u kërkuar bashkëqytetarëve të tij të bëjnë të njëjtën gjë.

Fushata zgjedhore u ndërpre papritur kur shkalla e shkatërrimit në kompleksin 30-katësh të apartamenteve Wang Ful Court në pjesën veriore të qytetit u bë e qartë më 26 nëntor. Fatkeqësia mori 159 jetë.

Disa banorë thanë se do të donin që “politikanët” të mbaheshin përgjegjës. Një banore tha se shpresonte për një “hetim të plotë” dhe që këshilli i ardhshëm legjislativ të “mbikëqyrte” ekzekutivin. Një tjetër banore e Tai Po, një mësuese 56-vjeçare, tha se përparësia kryesore e qeverisë duhet të jetë sigurimi i strehimit të përballueshëm dhe se ligjvënësit “duhet të takohen shpesh me qytetarët për të marrë mendimet e tyre”.

John Lee siguroi se një projektligj për lehtësimin dhe rindërtimin e ndërtesave të apartamenteve do të paraqitet në takimin e parë të këshillit të ri legjislativ.

Ai kishte njoftuar tashmë formimin e një “komisioni të pavarur”, të kryesuar nga një gjyqtar, për të kryer hetimin për zjarrin që shkatërroi pjesë të ndërtesave në rinovim.

Arrestimi i 15 personave

Mbrëmë, policia arrestoi 15 persona, punëtorë dhe drejtues të kompanive të ndërtimit, të cilët përballen me akuza për vrasje.

Policia arrestoi gjithashtu, sipas raportimeve të medias, të paktën tre persona të akuzuar për “kryengritje”, përfshirë Miles Kwan, një student 24-vjeçar i cili po shpërndante fletëpalosje duke kërkuar që qeveria të mbante përgjegjësi. I riu u lirua më vonë.

Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të Hong Kongut (OSNS) i Kinës thirri përfaqësuesit e mediave ndërkombëtare, përfshirë AFP-në, për t’i informuar të mërkurën, duke kritikuar mediat e huaja për përhapjen e lajmeve të rreme në mbulimin e tyre.

Agjencia “nuk do të tolerojë asnjë veprim nga elementët anti-Kinë dhe shkaktarët e problemeve në Hong Kong”, tha ajo në një deklaratë.