Ethel Caterham nga Surrey, Britania e Madhe është bërë personi më i moshuar në botë në moshën 115-vjeçare, pasi ndërroi jetë motra murgeshë Inah Canabarro Lucas, e cila ishte 116 vjeçe. Caterham ka lindur më 21 gusht 1909 dhe është nënshtetasja e fundit e mbijetuar e Mbretit Eduardit VII. Duke festuar 115-vjetorin e saj në gusht të vitit 2024, ajo tha se sekreti i jetëgjatësisë së saj është që asnjëherë nuk zihej me askënd, dëgjonte dhe bënte atë që donte. Rekordi i saj i ri është konfirmuar nga Libri i Rekordeve Guinness dhe nga LongeviQuest, një bazë të dhënash për njerëzit më të vjetër në botë.

Në ditëlindjen e saj të 115-të, ajo mori një letër nga Mbreti Charles III-të, në të cilën shkruante se ishte “i inkurajuar nga historia personale magjepsëse e Ethelit”. Caterham ka lindur në Shipton Bellinger në Hampshire dhe është rritur në Tidworth, Wiltshire. Në moshën 18-vjeçare, ajo u punësua si dado në një familje ushtarake në Indi.

U kthye në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1931 dhe atje njohu bashkëshortin e saj të ardhshëm, Norman Caterham. U martuan në katedralen e Salisburyt në vitin 1933. 50 vitet e fundit i ka kaluar duke jetuar në Surrey dhe ka drejtuar vetë veturën deri në moshën 97-vjeçare. Një nga motrat e saj, Gladys, ka jetuar deri në moshën 104-vjeçare.

Ndërkaq, Marcelino Abad Tolentino, një fermer i thjeshtë nga Peruja, festoi së fundmi ditëlindjen e tij të 125-të në një azil. Ndonëse nuk ka një certifikatë lindjeje, ai mban një kartë identiteti kombëtare të lëshuar nga shteti peruan që tregon se ai ka lindur më 5 prill 1900. I njohur me nofkën “Mashico”, Marcelino ka kaluar jetën e tij në mes të natyrës, duke ndjekur një mënyrë jetese të shëndetshme e të qetë. Sipas qeverisë, kjo jetë mes florës dhe faunës së Huánuco-s ka kontribuar në jetëgjatësinë e tij të jashtëzakonshme.