Danimarka i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që të respektojnë “integritetin territorial” të mbretërisë së saj, pas një postimi në rrjetet sociale nga gruaja e një prej bashkëpunëtorëve kryesorë të Donald Trump, ku shfaqej një hartë e Groenlandës e ngjyrosur me flamurin amerikan.
Postimi u shoqërua me fjalën “SOON” (“Së shpejti”), duke nxitur reagimin e palës daneze. Ambasadori danez në SHBA, Jesper Møller Sørensen, e rishpërndau postimin duke shtuar një “kujtesë miqësore” për marrëdhëniet e ngushta ushtarake mes dy vendeve. Ai theksoi se “siguria e SHBA-së është gjithashtu siguria e Groenlandës dhe Danimarkës” dhe se Groenlanda është pjesë e NATO-s, ndërsa bashkëpunimi i të dyja vendeve është i fokusuar edhe tek sigurimi i Arktikut.
Sørensen nënvizoi gjithashtu se Kopenhagen ka rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen në vitin 2025, duke mbledhur 13.7 miliardë dollarë që mund të përdoren për Arktikun dhe Atlantikun e Veriut.
“Ne marrim seriozisht sigurinë tonë të përbashkët dhe presim respekt të plotë për integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës”- shtoi ai.
Postimi i gruas së bashkëpunëtorit të Trump vjen në një periudhë kur presidenti amerikan ka shprehur disa herë interesin për të përfshirë Groenlandën në SHBA, duke u mbështetur tek pozicioni strategjik dhe pasuritë minerale të ishullit. Vendimi i fundit i qeverisë amerikane për të emëruar një të dërguar të posaçëm për Groenlandën ka shkaktuar pakënaqësi në Danimarkë, një aleate tradicionale e SHBA-së në NATO.
Groenlanda ka rreth 57,000 banorë dhe gëzon një autonomi të gjerë që nga viti 1979, por mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten nën përgjegjësinë e Danimarkës. Ndërsa shumica e banorëve mbështesin pavarësinë e ardhshme, sondazhet tregojnë kundërshtim të madh ndaj idesë së anëtarësimit në Shtetet e Bashkuara.
Reagimi diplomatik vjen vetëm pak ditë pas operacionit të madh ushtarak të SHBA-së në Venezuelë, gjatë të cilit u arrestua presidenti Nicolás Maduro dhe u transferua në Nju Jork, një veprim që Trump e komentoi duke thënë se SHBA do të “qeverisin” përkohësisht vendin dhe se kompanitë amerikane të naftës do të fillojnë aktivitetin atje.


